Pse nuk duhet të mbështesim ata që marrin pjesë në ekonominë gir?

Pasojat e ekonomisë gri i ndjejnë të gjithë qytetarët e vendit. Prania e lartë e ekonomisë gri konsiderohet si një pengesë për zhvillimin e qëndrueshëm. Ajo ul cilësinë e mjedisit të biznesit, krijon një mungesë në të ardhurat publike dhe lë disa punonjës pa mbrojtje sociale dhe me të drejta të kufizuara. Bizneset joformale nuk kontribuojnë në bazën tatimore dhe përgjithësisht mbeten të vogla, me produktivitet të ulët dhe akses të kufizuar në financa, duke çuar në një rritje më të ulët ekonomike në zonat me një nivel të lartë të ekonomisë gri.

Ata që u shmangen detyrimeve tatimore fitojnë një avantazh të padrejtë, minojnë konkurrencën e firmave dhe janë të padrejtë ndaj individëve dhe bizneseve që punojnë ligjërisht. Në fakt, Banka Botërore vëren se afërsisht 30% e kompanive përmendin sektorin joformal si kufizimin kryesor të tyre për rritjen.

Ekonomia gri cenon integritetin e të gjithë sistemit tatimor të shtetite dhe i vë individët dhe bizneset në disavantazh përsa i përket barrës së tyre financiare për pagimin e taksave dhe kontributeve.

Për konsumatorët, pagesa “në dorë” pa faturë fiskale nuk është një zgjidhje e mirë. Ndonëse paguan më pak, duke paguar me para në dorë, pa dhënë faturë fiskale, konsumatori nuk ka asnjë garanci, nuk ka sesi të ankohet për një produkt apo shërbim të cilësisë së dobët. Në këtë mënyrë konsumatori merr pjesë në cenimin e sistemit tatimor.

Së fundi, paratë e mbledhura nga tatimet përfundojnë në buxhetin e shtetit, i cili financon shëndetësinë, arsimin dhe shkencën, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës rrugore, kulturën, sportin dhe sektorë të tjerë publik. Duke mos shlyer detyrimet tatimore, ka më pak para për sistemet shtetërore që ne të gjithë i përdorim dhe pasojat i ndjejnë të gjithë qytetarët. Kjo ul ndjeshëm cilësinë e shërbimeve publike.

Prania më e lartë e punësimit joformal shoqërohet gjithashtu me nivele më të larta të pabarazisë në të ardhura, pasi punëtorët me njohuri dhe aftësi të ngjashme zakonisht paguhen më pak në sektorin joformal (veçanërisht në mesin e punëtorëve me kualifikim të ulët). Këta punëtorë kanë më shumë gjasa të jenë të varfër sesa punonjësit formal, për shkak të mungesës së kontratave formale dhe mbrojtjes sociale dhe për shkak se në përgjithësi janë më pak të arsimuar.

RAPORTO EKONOMINË GRI