Shembuj të ekonomisë gri që janë më të përhapur në jetën e përditshme janë:

  • Mosdhënia e faturave fiskale ose dhënia e faturës fiskale në vlerë jo të plotë
  • Mosparaqitja e punëtorëve
  • Pagesa e pagës me para në dorë
  • Kontrabanda e mallrave
  • Kryerja e biznesit pa një kompani të regjistruar

Mosdhënia e faturave fiskale

Objektet e regjistruara tregtare, zejtare dhe hoteliere janë të detyruara të kenë kasë fiskale. Ata hyjnë në zonën gri sa herë që nuk i japin faturë fiskale konsumatorit.

Me këtë pronarët realizojnë të ardhura shtesë sepse marrin për vete vlerën e tatimit mbi vlerën e shtuar TVSH në shumë prej 5%, 10% ose 18%, e cila me dhënien e faturës fiskale do t’i takonte buxhetit të shtetit, gjegjësisht qytetarëve. Gjithashtu, fshehja e detyrimit tatimor ul shpenzimet dhe u lejon atyre të shesin mallrat dhe shërbimet e tyre me një çmim më të ulët, duke krijuar konkurrencë të pandershme për sa u përket bizneseve formale.

Për të mashtruar konsumatorët, tregtarët e pandërgjegjshëm lëshojnë një “ndërmjet faturë” që duket si faturë fiskale, por nuk është dhe nuk përfshin pagesën e tatimit.

Të dhënat tregojnë gjithashtu se një pjsë e rëndësishme e qytetarëve nuk kërkojnë asnjëherë faturë, me çka pa vetëdije u ndihmojnë tregtarëve të pandërgjegjshëm të shkelin ligjet për pasurimin e tyre në kurriz të shtetit. Marrja e një fature jep siguri në rast se ka nevojë të reklamohet produkti, dhe kjo është një garanci që shitësi do të paguajë tatimin.

Mosparaqitja e punëtorëve

Për të shmangur pagesën e tatimit dhe kontributeve të pagës, disa nga punëdhënësit zgjedhin të mos i paraqesin punonjësit e tyre. Praktikisht, kjo do të thotë se për çdo 1000 denarë të pagës së paguar, punëdhënësi i shmang të pagojë 389 denarë, të cilat duhet t’i paguajë në emër të kontributeve të sigurimit shëndetësor, pensional dhe invalidor, kontributit të detyrueshëm për sigurim në rast të papunësisë, sigurimit shtesë në rastë lëndimi në punë dhe sëmundje profesionale, dhe tatimin për të ardhurat personale. Gjatë kësaj kohe punëtorëve nuk ju ec stazhi i punës. Puna në të zezë shpesh është e pranishme në punët e përkohëshme dhe sezonale. Punëtorët shumë shpesh nuk janë të përgatitur të paraqesin punëdhënësit e pandërgjegjshëm nga frika se mos humbasin punën e tyre.

RAPORTO EKONOMINË GRI

Pagesa e të ardhurave në dorë

Për të mashtruar shërbimet e inspektimit dhe për të shmangur gjobat, e megjithatë për të shmangur pagesën e kontributeve dhe tatimeve, disa punëdhënës i paraqesin punëtorët, por fshehin shumën e plotë të pagës që paguajnë. Këtë e bëjnë duke paraqitur një shumë më të ulët ose shumën minimale ligjore, për të cilën paguajnë kontributet, ndërsa pjesa tjetër e pagës së rënë dakord i paguhet punonjësit me para të gatshme, në dorë.

Punonjësit janë dëmtuar vazhdimisht, për shkak se u shkurtohet një pjesë e kontributeve të sigurimit pensional, që do të thotë se në të ardhmen pensioni i tyre do të jetë më i ulët. Gjithashtu, nëse ata marrin kredi, banka do të përcaktojë shumën e kredisë së lejuar në bazë të pagës së marrë në llogari.

Për shembull, në vend që ta paraqesë punëtorin për neto pagë prej 30.000 denarë, punëdhënësi e paraqet në 22.000 denarë, ndërsa 8.000 të mbetura pa tatim i paguan me para në dorë. Në vend që të paguajë gjithsej 12599 denarë në buxhetin e shtetit, në emër të kontributeve dhe 2396 denarë tatimin mbi të ardhurat personale, punëdhënësi do të paguajë vetëm 9142 denarë kontribute dhe 1507 denarë tatim në të ardhura personale. Diferenca prej 4.346 denarë për punëtor, në baza mujore, mbetet për punëdhënësin.

Gjithashtu në vend që të pagojë pagë prej 22.000 denarë, punëdhënësi e paraqet punëtorin me pagë minimale prej 15.000 denarë. Në vend që të paguajë 9.142 denarë kontribute dhe 1.507 denarë tatimin mbi të ardhurat personale, ai do të paguajë vetëm 6.116 denarë kontribute dhe 729 denarë tatim në të ardhura. Për të mbetet diferenca prej 3804 denarë. Për 10 punëtorë të regjistruar me pagë minimale, punëdhënësi në mënyrë të kundërligjshme përvetëson 38040 denarë në muaj ose 456.480 denarë në vit.

Kontrabanda e mallrave

Importi i paregjistruar i mallrave nga jashtë vendit dhe shmangia e detyrimeve doganore, përveç punës në të zezë, është forma më e shpeshtë e ekonomisë gri. Ekzistojnë dy forma më të pranishme të kontrabandës ndërkufitare: kontrabanda e imët, e cila përfshin transportimin e sasive më të vogla të mallrave përmes kalimeve të shumta kufitare; dhe kontrabanda e organizuar, e cila përfshin aktivitetet e grupeve kriminale dhe shpërndarjen e sasive të mëdha të mallrave, për të cilën shpesh nevojitet ndihma e nëpunësve shtetërot të korruptuar. Malli i kontrabanduar nuk ka dokumentacionin që konfirmon korrektësinë dhe për këtë arsye është i rrezikshëm për secilin që e blen.

Kryerja e biznesit pa një kompani të regjistruar

Kryerja e çdo veprimtarie që përfshin prodhimin, tregtinë ose ofrimin e shërbimeve pa një firmë të regjistruar është gjithashtu ekonomi gri. Në këtë kategori bëjnë pjesë mjeshtër të ndryshëm (moler, hidraulik, elektriçist, mjeshtër parketi), kujdestare të fëmijëve, punonjëse kozmetike, parukierë, individë që merren me prodhimin dhe shpërndarjen e ushqimit, onlajn shitës që shesin përmes rrjeteve sociale, etj.

Subjektet ekonomike të paregjistruara punojnë ilegalisht, të fshehura nga ligji dhe kontrolli, shmangin pagesën e të gjitha tatimeve dhe taksave, gjë që i bën produktet e tyre më të lira, por edhe më pak të sigurta dhe më pak cilësore.

Blerësit më së shpeshti nuk marrin asnjë faturë për mallin ose shërbimin e blerë, nuk kanë asnjë garanci që produkti është i sigurt për t’u përdorur ose teknikisht korrekt dhe nuk kanë të drejtë të ankohen, dhe shpesh nuk e marrinproduktin me veçoritë dhe cilësinë që janë dhënë në reklamat ose katalogët e shitësit.

Në këtë mënyrë subjektet që punojnë në të zezë dëmtojnë jo vetëm shtetin dhe qytetarët, por edhe të gjitha kompanitë që punojnë legalisht dhe paguajnë tatime, sepse përfaqësojnë konkurrencë të pandershme.