Për çfarë përdoret buxheti

Ligji për buxhetet rregullon procedurën për përgatitjen, miratimin, ekzekutimin e Buxhetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe buxheteve të njësive të vetëqeverisjes lokale dhe qytetit të Shkupit dhe raportimin për realizimin e tyre.

Qëllimi kryesor gjatë përgatitjes dhe ekzekutimit të buxhetit është stabiliteti makroekonomik dhe zhvillimi i qëndrueshëm dhe stabil ekonomik kombëtar.

Procedura për përgatitjen, miratimin dhe ekzekutimin e Buxhetit të Republikës së Maqedonisë dhe të buxheteve të komunave, si dhe njoftimin për realizimin e tyre bazohet në këto parime:

  1. Gjithëpërfshirje, që nënkupton paraqitjen e të gjitha të ardhurave dhe hyrjeve, shpenzimeve dhe daljeve tjera;
  2. Bilanc buxhetor, që nënkupton totalin e të ardhurave dhe hyrjeve për të mbuluar mjetet e miratuara me buxhet;
  3. Specifikim, që do të thotë se mjetet e miratuara janë të destinuara për qëllime të veçanta sipas seksioneve, programeve, nënprogrameve dhe paragrafëve;
  4. Ekonomi, që nënkupton se mjetet e miratuara do të përdoren në kohën e duhur, në masën e duhur, duke pasur parasysh cilësinë dhe çmimin;
  5. Efikasitet, që nënkupton raportin më të mirë ndërmjet mjeteve të përdorura dhe rezultateve të arritura;
  6. Efektivitet, që nënkupton realizimin e qëllimeve të përcaktuara dhe arritjen e rezultateve të dëshiruara;
  7. Transparencë, që nënkupton disponueshmërinë e publikut në të gjitha fazat e përgatitjes dhe realizmit të buxhetit; dhe
  8. Menaxhim financiar i sigurt, që nënkupton realizimin e buxhetit në përputhje me kontrollin e brendshëm efektiv dhe efikas si proces që zbatohet në të gjitha nivelet e menaxhimit të mjeteve financiare.

Shpenzimet nga Buxheti financojnë qëllime të ndryshme: pagat për administratën publike, prokurimin e mallrave dhe shërbimeve të nevojshme për punën aktuale të shfrytëzuesve buxhetor, pensionet, ndihmat sociale, subvencionet, investimet publike për ndërtimin e shkollave, spitaleve, kopshteve, rrugëve etj.

Shpenzimet mund të shikohen nga aspekti organizativ, funksional dhe ekonomik dhe programor.

Klasifikimi organizativ tregon se si ndahen shpenzimet sipas shfrytëzuesve buxhetor, dmth. cili shfrytëzues dhe shfrytëzues individual (p.sh. ministri, agjenci, qeveri, etj.) sa mjete për shpenzim ka marrë në dispozicion. Shfrytëzues buxhetor janë shfrytëzuesit e mjeteve nga Buxheti në fushën e pushtetit legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor. Ata janë shfrytëzuesit e linjës së parë të Buxhetit. Këtu përfshihen: ministritë e linjës, Drejtoria doganore, agjencitë e ndryshme shtetërore, Prokuroria publike, Enti shtetëror i revizionit, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Drejtoria e të ardhurave publike, Byroja për zhvillimin e arsimit, gjyqësori, Enti shtetëror i statistikës, Akademia e Shkencave dhe Arteve të RMV – MANU, Agjencia e Punësimit, Fondi i Sigurimit pensional dhe invalidor, Fondi i sigurimit shëndetësor etj. Përmes buxheteve të shfrytëzuesve buxhetor financohen edhe shfrytëzuesit buxhetor individual të mjeteve të buxhetit – institucionet në fushën e arsimit dhe shkencës, kulturës, mbrojtjes së fëmijëve, mbrojtjes sociale, gjyqësorit dhe prokurorisë, të cilat financohen përmes shfrytëzuesit buxhetor në atë fushë. Përmes buxheteve të shfrytëzuesve buxhetor financohen edhe komunat në formë të dotacioneve të destinuara dhe bllok dotacioneve nga Buxheti dhe dotacioni për kompetencë të deleguar.

Klasifikimi funksional tregon për cilat funksione sa mjete për shpenzim janë parashikuar, gjegjësisht dmth. për çfarë qëllimi duhet të shpenzohen mjetet. Shpenzimet buxhetore shpërndahen në këto fusha funksionale: pensione, mbrojtje sociale dhe e fëmijëve; zhvillim ekonomik dhe çështje financiare; shëndetësi; arsim, shkencë dhe sport; rend dhe siguri publike; ndërtimtari, transport, komunikim dhe ekologji; bujqësi; mbrojtje; punët e jashtme dhe integrimi në BE; kulturë; zhvillim rajonal; gjyqësor.

Klasifikimi ekonomik nënkupton klasifikimin e shpenzimeve sipas llojeve, dmth. sipas qëllimit ekonomik për të cilin shërbejnë (aktual, kapital etj.). Shpenzimet totale në Buxhetin Qendror ndahen në:

  • Shpenzime rrjedhëse – shpenzimet që bëhen për pagesën e detyrimeve të rregullta (rrjedhëse) të shfrytëzuesve buxhetor. Ato ndodhin në një periudhë jo më të gjatë se një vit. Këtu përfshihen: pagat dhe kompenzimet, shpenzimet për mallra dhe shërbime, pensionet dhe shpenzimet për shtyllën e dytë pensionale, shpenzimet për mbrojtje shëndetësore, transfertat në njësitë e vetëqeverisjes lokale, subvencionet dhe transfertat, transfertat dhe shtesat sociale, pagesat e interesit, garancitë.
  • Shpenzime kapitale – zakonisht i referohen një periudhe më të gjatë se një vit dhe përfshijnë shpenzimet për investime në rrugë, hekurudha, infrastrukturë komunale, shkolla dhe investime të tjera kapitale. Këtu hyjnë shpenzimet për investime; transferta kapitale për nevoja të brendshme të institucioneve, ndërmarrjeve, qytetarëve etj.; transfertat kapitale në institucionet financiare ndërkombëtare; si dhe transferta për projekte të ndryshme (blerje të mjeteve kapitale).

 

Pjesa më e madhe e shpenzimeve totale bëhen për shpenzime rrjedhëse. Pjesa më e madhe e shpenzimeve rrjedhëse janë pensionet, pastaj mbrojtja shëndetësore dhe shpenzime për paga dhe kompenzime për administratën publike.

Klasifikimi programor merr në konsideratë shpenzimet sipas programeve të veçanta dhe pjesëve të tyre përbërëse – nënprogrameve. Programi është shuma e aktiviteteve dhe projekte të ndërlidhura që synojnë arritjen e një qëllimi ose qëllimeve të përbashkëta, ndërsa nënprogrami është aktivitet ose projekt që është pjesë integrale e programit. Ekzistojnë tre grupe programesh/nënprogramesh:

– Programet dhe nënprogramet qeveritare, të cilat pasqyrojnë aktivitetet e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut që ndërmerren për realizimin e prioriteteve strategjike. Ato përputhen me aktivitetet e rregullta të ministrive të veçanta duke i dhënë prioritet financimit të tyre.

– Programet dhe nënprogramet buxhetore janë aktiviteti kryesor ose grupi i aktiviteteve që kryhen në përputhje me detyrimet e përcaktuara me ligj dhe me rregullore të tjera ligjore. Të gjitha aktivitetet e një shfrytëzuesi buxhetor që nuk janë identifikuar si programe qeveritare janë paraqitur përmes programeve buxhetore.

– Nënprogramet e zhvillimit tregojnë mjetet e destinuara për zhvillimin e teknologjive të reja, përmirësimin e infrastrukturës, sistemet e telekomunikacionit, ndërtimin dhe renovimin e ndërtesave, rrugëve, prokurimin e zgjidhjeve softuerike etj.

RAPORTO EKONOMINË GRI