Ekonomia gri paraqet prioritet strategjik të Ministrisë së Financave dhe Qeverisë.

Në kuptim më të ngushtë, termi ekonomi gri i referohet kryerjes së aktiviteteve ekonomike që nuk janë të regjistruara dhe nuk raportohen për qëllime tatimore nga individë, grupe joformale ose organizata. Pamja më e gjerë e ekonomisë gri përfshin prodhimin e padeklaruar dhe tregtinë e paregjistruar të mallrave dhe shërbimeve, me synim mospagimin e tatimeve dhe kontributeve për sigurim social. Ajo është e dëmshme për të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ekonomia gri cenon konkurrencën e kompanive dhe individëve dhe është një “përparësi” e padrejtë dhe joligjore për ata që nuk përmbushin detyrimet ligjore. Duke iu shmangur detyrimeve tatimore, dëmtohen të gjithë qytetarët.

Është e pranishme në sektorët e industrisë dhe të shërbimeve ku transaksionet dhe pagesat me para në dorë janë pjesë e zakonshme e punës: ndërtimtari, hoteleri, transport, tregti në tregjet e gjelbra, shitje direkte përmes rrjeteve sociale dhe të ngjashme.

Sipas të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), pjesëmarrja e ekonomisë gri në sektorin e përgjithshëm ekonomik të Republikës së Maqedonisë së Veriut është 37,6 përqind. Sipas këtyre të dhënave, vendi është në vendin e katërt në rajonin e Evropës Juglindore.

Ekonomia gri minon integritetin e të gjithë sistemit tonë tatimor, ndikon negativisht në buxhet dhe pagesën e të ardhurave, dhe në këtë mënyrë shkurton mjetet për investim në shëndetësi, arsim dhe shërbime më të mira dhe më cilësore për të gjithë qytetarët.

Në vitin 2018 në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale u publikua Strategjia për formalizimin e ekonomisë joformale 2018-2020, e cila synon të krijojë parakushte bazë për rritje ekonomike të qëndrueshme dhe të vazhdueshme, standard më të lartë jetësor dhe një mjedis të favorshëm biznesi dhe të ofrojë kushte të barabarta për të gjithë pjesëmarrësit në treg, për të mbështetur transformimin e aktiviteteve ekonomike joformale në ato formale, si dhe për të parandaluar flukset e paligjshme të parave.

Me qëllim të intensifikimit të zbatimit të aktiviteteve të caktuara, si dhe plotësimit me aktivitete të reja në përputhje me ndryshimet dhe kushtet e reja të krijuara në dy vitet e fundit, Ministria e Financave bëri plotësimin e Planit aksionar me masa të reja në bashkëpunim me Drejtorinë doganore, Djretorinë e të ardhurave publike, Drejtorinë për zbulim financiar, Policinë financiare dhe Regjistrin qendror. Masat e reja i referohen modernizimit të proceseve të caktuara, si dhe në fushën e e-tregtisë e cila po merr vrull të madh dhe po krijon konkurrencë të pandershme të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme si shtytësi kryesor i zhvillimit ekonomik. Të gjitha aktivitetet e përfshira në këtë Plan aksionar janë rishikuar në mënyrë që të përfshihen të gjitha aspektet e ekonomisë gri në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Qëllimi i këtij Plani aksionar është të përcaktojë një sërë masash të synuara dhe të përshpejtojë realizimin e aktiviteteve për forcimin e mekanizmave për luftimin e ekonomisë gri. Duke monitoruar në mënyrë aktive realizimin e aktiviteteve të Planit aksionar, mundësohet matja sistematike e treguesit që mat pjesëmarrjen e ekonomisë gri në BPV, i cili në planin afatmesëm synon ta ulë atë deri në nivel prej 32.6 përqind, ose ulje për 5 përqind në periudhë prej tre deri në pesë vjet.

RAPORTO EKONOMINË GRI