Për çfarë përdoret buxheti
Ligji për buxhetet rregullon procedurën për përgatitjen, miratimin, ekzekutimin e Buxhetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe buxheteve të njësive të vetëqeverisjes lokale dhe qytetit të Shkupit dhe raportimin për realizimin e tyre.
Qëllimi kryesor gjatë përgatitjes dhe ekzekutimit të buxhetit është stabiliteti makroekonomik dhe zhvillimi i qëndrueshëm dhe stabil ekonomik kombëtar.
Procedura për përgatitjen, miratimin dhe ekzekutimin e Buxhetit të Republikës së Maqedonisë dhe të buxheteve të komunave, si dhe njoftimin për realizimin e tyre bazohet në këto parime:
- Gjithëpërfshirje, që nënkupton paraqitjen e të gjitha të ardhurave dhe hyrjeve, shpenzimeve dhe daljeve tjera;
- Bilanc buxhetor, që nënkupton totalin e të ardhurave dhe hyrjeve për të mbuluar mjetet e miratuara me buxhet;
- Specifikim, që do të thotë se mjetet e miratuara janë të destinuara për qëllime të veçanta sipas seksioneve, programeve, nënprogrameve dhe paragrafëve;
- Ekonomi, që nënkupton se mjetet e miratuara do të përdoren në kohën e duhur, në masën e duhur, duke pasur parasysh cilësinë dhe çmimin;
- Efikasitet, që nënkupton raportin më të mirë ndërmjet mjeteve të përdorura dhe rezultateve të arritura;
- Efektivitet, që nënkupton realizimin e qëllimeve të përcaktuara dhe arritjen e rezultateve të dëshiruara;
- Transparencë, që nënkupton disponueshmërinë e publikut në të gjitha fazat e përgatitjes dhe realizmit të buxhetit; dhe
- Menaxhim financiar i sigurt, që nënkupton realizimin e buxhetit në përputhje me kontrollin e brendshëm efektiv dhe efikas si proces që zbatohet në të gjitha nivelet e menaxhimit të mjeteve financiare.
Shpenzimet nga Buxheti financojnë qëllime të ndryshme: pagat për administratën publike, prokurimin e mallrave dhe shërbimeve të nevojshme për punën aktuale të shfrytëzuesve buxhetor, pensionet, ndihmat sociale, subvencionet, investimet publike për ndërtimin e shkollave, spitaleve, kopshteve, rrugëve etj.
Shpenzimet mund të shikohen nga aspekti organizativ, funksional dhe ekonomik dhe programor.