
Ekonomia gri është një problem i pranishëm në të gjithë botën. Në asnjë vend ekonomia gri nuk është zhdukur plotësisht. Një fenomen më domethënës i ekonomisë gri në botë u regjistrua në vitet 60 të shekullit të kaluar dhe një rritje të veçantë pati pas krizës së vitit 2008. Në nivel global, në periudhën 1990-2018, mesatarisht ka qenë rreth një e treta e bruto prodhimit të vendor. Në vendet më të suksesshme, volumi i bizneseve në zonën gri është rreth 7% e bruto prodhimit vendor, ndërsa në vendet në zhvillim ky numër varion nga 20 deri në 30% të BPV-së, bile edhe më shumë.
Ndërmarrjet joformale përbëjnë 8 nga 10 ndërmarrje në botë. Ato janë kryesisht njësi të vogla organizative të paregjistruara dhe shpesh punësojnë deri në dhjetë punëtorë, të paparaqitur dhe përgjithësisht me kualifikim të ulët. Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO), deri në vitin 2020, në nivel global rreth 2 miliardë njerëz kanë punuar në ekonominë joformale, gjegjësisht 62 përqind e punëtorëve. Punësimi joformal arrin 90 përqind të punësimit total në vendet me të ardhura të ulëta, 67 përqind në vendet me të ardhura mesatare dhe 18 përqind në vendet me të ardhura të larta.

Në Republikën e Maqedonisë së Veriut, përkundër trendit të përgjithshëm të rënies së ekonomisë gri, studimet dhe vlerësimet për nivelin e saj tregojnë një pjesëmarrje të lartë të ekonomisë gri në vend (midis 20-40%). Sipas vlerësimeve të Ministrisë së Ekonomisë në vitin 2011, niveli i ekonomisë joformale ka qenë rreth 30% e BPV-së. Vlerësimet e fundit të ekspertëve të FMN-së vlerësojnë se niveli në vitin 2016 ishte 37.6% e BPV-së, ndërsa vlerësimet e ekspertëve të Bankës Botërore janë pak më të ulëta – 33.4% dhe 33.6% e BPV-së, në varësi të metodës së përdorur.
Sipas të dhënave nga Enti Shtetëror i Statistikave, në Republikën e Maqedonisë së Veriut janë punësuar 107.766 persona, ose 14% e të punësuarve në bazë joformale. Të rinjtë janë zakonisht më të ndjeshëm ndaj punësimit joformal. Kështu, nga personat në moshë me aftësi për punë, incidenca më e lartë e punësimit joformal është te popullata më e re, e moshës 15-24 vjeç dhe është 19% e punësimit total të asaj grupmoshe, dhe më e ulëta tek personat e moshës 35 deri në 44 vjeç – 11 %. Sa i përket punëtorëve të papaguar familjar, të cilët sipas definicionit janë të punësuar joformalisht, veçanërisht të ekspozuara janë gratë në zonat rurale. Hulumtimi i ekonomisë joformale në Maqedoninë e Veriut i bërë nga Organizata Ndërkombëtare e Punës tregon se nga numri i përgjithshëm i punëtorëve joformal në vend, shumica janë të angazhuar në bujqësi – 52,3%, pastaj në ndërtimtari – 16,1% dhe tregti me shumicë dhe pakicë – 8.3%. Pjesëmarrja më e madhe e punësimit joformal nga punësimi i përgjithshëm është në sektorët e mëposhtëm: bujqësi (53.5%), ndërtimtari (31.6%), aktivitete shërbyese (17.8%), mbështetje administrative (14.3%) dhe akomodim dhe ushqim (10.6%).